• Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë një pjesë të vendit ditën e sotme. • Nga disa qytete raportohet për problematika. • Në Tiranë reshjet kanë ndikuar në krijimin e trafikut të rënduar, pasi makinat qarkullojnë me vështirësi. • Gjithashtu mësohet se ka pasur përmbytje në disa zona ku duket se niveli i lartë i reshjeve ka bërë që të bllokohen tubacionet dhe uji të shkaktojë përmbytje në disa rrugë kryesore. • Moti i keq ka përfshirë edhe qytetin e Durrësit ku stuhia me erëra të forta dhe reshje të shumta shiu kanë krijuar probleme jo vetëm te kalimtarët, por edhe në qarkullimin e automjeteve. • Nga ana tjetër mësohet se lundrimi detar është ndërprerë për anijet e peshkimit, ndërsa tragetet nga Durrësi drejt Barit u nisën me 8 orë vonesë për shkak të dallgeve që shkonin 6 deri 7 ballë në detin Adriatik. • Nga ana tjetër situata pritet të përmirësohet pas 24 orësh në Adriatik për lundrimet e mjeteve. • Lezha është përfshirë po ashtu nga reshje të dendura shiu ditën e sotme të cilat kanë krijuar përmbytje në disa zona në qytet. • Niveli i ujit ka arritur në disa cm, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. • Në disa lagje të qytetit sistemi i kanalizimeve nuk e përballoi nivelin e prurjeve, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të vërshojë nëpër rrugë. • Situata paraqitet kritike në Vlorë, ku kryebashkiaku Ermal Dredha ka lajmëruar se ka kërkuar ndihmën e ushtrisë për të përballuar gjendjen. • Ai njoftoi gjithashtu se janë evakuar 22 familje.
Siç shihet në videon e mëposhtme, të postuar në Instagram, nga “JOQ”, rrjedha e ujit që ka përfshirë rrugët ka marrë përpara një qytetare. Ende nuk dihet gjendja e saj shëndetësore pas kësaj ngjarje.