Goditet me grushte dhe dorezë hekuri avokati i Sali Berishës dhe Inceneratorit të Tiranës, Sokol Mëngjesi.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish- Bllokut në Tiranë në orën 08:50.
Avokati Mëngjesi është goditur nga tre persona të panjohur, teksa ishte duke ecur në rrugë.
Tre autorët i kanë zënë pritë Mëngjesit pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar fëmijën.
Aktualisht avokati po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia njoftoi se “sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është normale”.
Policia është e vendosur për të zbuluar agresorët, ndërsa mësohet se disa oficerë po sekuestrojnë kamerat e zonës.
Mësohet se avokat Sokol Mëngjesi së bashku me avokat Klodian Skënderaj zotërojnë një studio ligjore dhe aktualisht ata janë avokatët mbrojtës të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe tre inceneratorëve.
Konkretisht, Mëngjesi është avokati mbrojtës i Inceneratorit të Tiranës.
Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh dhe konsiderohet si një prej avokatëve më me integritet në vend.
Prej Shatorit 2020 ka qenë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe mban titullin akademik “Profesor” prej vitit 2016.





