Tiranë, 23 qershor 2025 – Java e fundit e qershorit pritet të shënojë kulmin e të nxehtit për këtë muaj në territorin shqiptar, si pasojë e masave ajrore afrikane që po përfshijnë rajonin.
Meteorologia Lajda Porja njoftoi se moti do të jetë i kthjellët dhe me temperatura shumë të larta në të gjithë Ballkanin, veçanërisht nga dita e martë. “Java e fundit e qershorit pritet të jetë shumë e nxehtë, ku do ketë masa ajrore afrikane. Që nga dita e martë moti do të jetë i kthjellët në të gjithë Ballkanin dhe me temperaturë mjaft të lartë. Dita e enjte dhe e premte pritet të jenë dy ditët më të nxehta të qershorit”, u shpreh Porja.
Në qytete të tilla si Elbasani dhe Berati temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C, ndërsa në Tiranë do të kapin vlerën 38°C. Edhe zonat bregdetare nuk do të mbeten pas, me temperatura që pritet të shkojnë në 35–36°C.
Kjo valë të nxehti do të zgjasë deri në fundjavë, kur pritet një ulje e lehtë e temperaturave. Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet e ndjeshme ndaj të nxehtit, si të moshuarit dhe fëmijët.





