Alfrida Marku, sekretare e PD-së së Lezhës, ishte në selinë e PD-së të shtunën për të zhvilluar mbledhjen e radhës me kryetarin e PDsë, Lulzim Basha, ndërsa jashtë ishte thirrur protesta nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Marku e cila është në pritje të një fëmije tregoi se kishte shkuar në selinë blu rreth orës 9 e 30 të mëngjesit. Fillimisht ajo tha se u takua me kolegët e saj në hollin e selisë në katin e dytë, ku uruan njëri-tjetrin për një vit më të mbarë. Më pas ajo tregon se nisi mbledhja dhe ajo gjendej përballë fasadës së xhamit. E ndërsa kishin një orë që kishin nisur mbledhjen, Alfrida Marku tregon se dëgjuan zhurmën e xhamit të parë që u thye. Pas këtij momenti, sipas saj, të gjithë u panikosën dhe duke kaluar minutat deputetët nisën me radhë të kontaktonin Policinë.

Ndërsa frika e saj ishte e dyfishtë, pasi është në pritje të një fëmije. Minutat që kaluan nuk u bënë më të lehta, por më të vështira. Thirrjet, zhurmat e mëdha, rritën panikun tek ajo dhe të tjerët që ndodheshin brenda. Ndërsa Marku tregon se shqetësimi më i madh vinte edhe nga familjarët e saj, të cilët shikonin raportimet e gazetarëve. Në intervistën e mëposhtme, Marku tregon se si do ta kujtojë ajo 8 janarin e 2022-shit.

Si nisi dita juaj të shtunën, në çfarë ore u niset nga Lezha për në selinë e PD-së?

Ishim njoftuar për mbledhjen e radhës në orën 10:00 me kryetarët e degëve. Ndaj, edhe dita ime të shtunën nisi herët, për shkak se duhej të përshkoja edhe disa kilometra rrugë. Në PD kam mbërritur rreth orës 9:30.

Nga cila anë e selisë mundët të hynit në sallën ku ishit lajmëruar për mbledhjen?

Kemi hyrë normalisht nga ana në krahun e djathtë të selisë dhe takimi është zhvilluar si gjithmonë në sallën kryesore të mbledhjeve. Theksoj se Kolegji i Kryetarëve përbëhet nga kryetarët e 71 degëve lokale të PD-së.

Pasi u ngjitët në katin e dytë të PD-së, ku qëndruat në fillim? Cilin nga kolegët takuat të parin dhe cilat ishin pritshmëritë e tyre për protestën?

Mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve dhe sekretarëve zhvillohet me kryetarët dhe sekretarët e 71 degëve të PD-së. Në hollin e katit të dytë dhe në sallën e mbledhjeve jam takuar dhe përshëndetur me pjesën më të madhe të tyre, me urimet e fillimvitit, veçoj këtu kolegët e Lezhës, Kurbinit, Shkodrës, Vaut të Dejës, disa degëve të Tiranës, Durrësit etj.

Si ishte atmosfera brenda grupit që ishit në mbledhje teksa jashtë protestuesit shtoheshin minutë pas minute?

Jo vetëm dje, por gjatë gjithë kësaj periudhe, çdo demokrat nuk është ndjerë mirë nga situata e krijuar dhe nxitur qëllimisht nga z. Berisha dhe një grup personash afër tij. Askush s’mund të mohojë keqardhjen për atë çfarë ishte njoftuar prej ditësh, madje përmendej edhe fjala gjakderdhje, me zë e figurë, nga të ashtuquajturit anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, se do të ndodhte në selinë e Partisë Demokratike.

Kishit nisur mbledhjen kur u thyen xhamat e parë, të derës kryesore? Në çfarë vendi ishit ulur ju, e kishit me shpinë fasadën e xhamit apo përballë?

Po, kishim më shumë se 1 orë kur kishte nisur mbledhja kur kemi dëgjuar zhurmë në përpjekjet e një grupi personash duke goditur me mjete e sende të forta për të thyer xhama, hapur dyert me forcë për të hyrë në ambientet e brendshme të selisë. Kam qenë ulur në rreshtin e parë të karrigeve të mbledhjes, fasadën e xhamit e kam pasur përballë.

Cilat ishin reagimet e para tuat dhe të kolegeve e kolegëve të tu në momentin qe u sulmua kati i parë? Cilat qenë diskutimet e para mes jush?

Sulmet kanë qenë të dhunshme, të pandalshme, të shoqëruara me thirrje nga më të ashprat. Mjetet e përdorura kanë qenë të shumëllojta, me rrezikshmëri të lartë, turma me rreth 500-600 persona ishte nxitur ku një pjesë e tyre kryen drejtpërdrejt aktet e dhunshme ndaj selisë së PDsë dhe demokratëve brenda saj. Përballë një situate të tillë, pa më të voglin dyshim, secili prej nesh aty e ka ndjerë veten të rrezikuar në shëndetin, por edhe jetën e tij.

Ndërkohë, përpjekjet e protestuesve vazhduan për orë të tëra ndërsa ju ishit lart. Për ju në fakt ka edhe një detaj më të ndjeshëm. Ju jeni në pritje të një fëmije. Si ishte për ju e gjithë situata, sepse sigurisht edhe përgjegjësitë janë dyfish?

Absolutisht e kam parë veten të rrezikuar, aq më tepër me një përgjegjësi të dyfishtë. Siç jam ndjerë unë, shumëfish ishte ankthi i familjarëve të mi. Pamjet e transmetuara direkt në media nuk linin mundësi për të qetësuar askënd. Duke parë se si po përvijonte situata jashtë, turma e nxitur e ashpërsuar e që po përdorte mjete të shumëllojta të rrezikshme, gazi lotsjellës që kishte depërtuar në ambientet e brendshme, rreziku ishte real, prezent, për shëndetin, por edhe jetën e qindra personave aty brenda. Në këtë pikë, dënoj ashpër cilindo ka kryer këto veprime të dhunshme, akoma më keq cilindo i ka mohuar si dhe ato gra prezente dje, për të cilat jemi investuar ndër vite.

Ndërsa protestuesit gjuanin me gurë në dritaren e sallës që ndodheshit ju, pati kërkesa nga ana juaj që të lajmërohej Policia? Në çfarë ore është kërkuar ndërhyrja e punonjësve të Policisë?

Mjaftonin pamjet e drejtpërdrejta që transmetoheshin live në çdo TV që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore përgjegjëse të investoheshin kryesisht. Por në fakt, pavarësisht kërkesës nga ana e deputetëve, Policia e Shtetit ka ndërhyrë me shumë vonesë, mbi një orë e gjysmë me vonesë. Me gjithë respektin për policët e thjeshtë, mesa duket, për drejtuesit e kësaj strukture, situata dramatike e djeshme ku rrezikohej jeta dhe shëndeti i qindra personave që ndodheshin në selinë e PDsë është neglizhuar qëllimisht, për të lejuar agravimin maksimal të situatës.

Në momentin që ndërhyri Policia te protestuesit poshtë, ju ku ndodheshit?

Unë e shumë të tjerë ndodheshim në katin e tretë të godinës, në përpjekje për të gjetur një ambient ku nuk kishte depërtuar gazi, apo zënë vend pranë një dritareje ku qarkullonte ajër i pastër. Por kjo ishte e pamundur, pasi në drejtim të selisë hidhej material shpërthyes me gaz lotsjellës.

Forcat blu ndërhynë edhe me gaz lotsjellës. A depërtoi edhe në katin ku ndodheshit ju gazi? Si vepruat, pati panik? Ju personalisht si e shmangët?

Nga jashtë në drejtim të selisë së PD-së është hedhur gaz lotsjellës. Ka pasur material shpërthyes me gaz lotsjellës të hedhur edhe në drejtim të tarracës së godinës së PD-së. Nuk mund t’ia atribuoj vetëm Policisë së Shtetit këtë. U krijua gjendje paniku dhe frike si dhe pjesa më e madhe e personave që ishin brenda u ndjenë keq. U rrezikua realisht shëndeti, por edhe jeta e tyre.

Jeni përballur edhe më parë me situata të ngjashme? Si do ta kujtoni ditën e shtunë?

Gjithmonë kam marrë pjesë në protestat kundër qeverisë, jam përballur edhe me situata të tjera të rënda të ngjashme si dita e djeshme. Por me një dallim të madh: dikur protestonim dhjetëramijëra shqiptarë të lirë kundër një qeverie të korruptuar, kurse të shtunën disa persona, të keqpërdorur nga një grup për interesa personale të paligjshme e të padrejta, sulmonin godinën qendrore të Partisë më Demokratike në vend, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e qindra demokratëve. Të djeshmen e kam përshkruar vazhdimisht si ditë të trishtë. Kurrë s’do të doja që asnjë demokrat të kishte kujtimet e ditës së djeshme në selinë e Partisë Demokratike. Është shtëpia e të gjithë demokratëve. Është vendi ku mblidhemi të gjithë, por jo kundër njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, kam ndjerë keqardhje, se si një politikan që në vite me radhë emrit të tij i është bashkëngjitur edhe togfjalëshi “burrë shteti”, të mbyllë kapitullin e fundit politik të tij në atë mënyrë të padenjë.

Marre nga Panorma.al