715 turistë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Durrës me krocerën “Seven Seas Voyager”. Shumica e tyre, 528 janë shtetas amerikanë, ndërsa të tjerët vijnë nga 21 vende të ndryshme të botës.

Gjatë ankorimit të krocerës në portin e Durrësit, turistët janë pritur nga një grup të rinjsh të projektit “Smile Albania”. 21 autobuzë u vunë në dispozicion nga agjencia pritëse për transportin e turistëve drejt qendrave historike në qytetet muzeale të Krujës, Beratit, Tiranës dhe Durrësit.

Krocera është nisur nga porti I Korfuzit në Greqi mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që po sot në mbrëmje do të niset drejt portit të Kotorrit në Malin e Zi. Ajo ëhstë 206 metër e gjatë dhe 28 metër e gjerë. Deri në këtë periudhë të vitit, porti I Durrësit është vizituar nga 450 jahte turistike dhe 14 kroçera, duke shënuar një rritje prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.