SHKODRA- Dy vëllezërit Marjan Doçi dhe Mateo Doçi kanë goditur me grushte një efektiv të forcave “Shqiponja” brenda mjediseve të policisë së Shkodrës. Mësohet se vëllezërit Doçi janë futur me forca brenda oborrit të komisariatit të policisë dhe aty kanë goditur efektivin.
Paraprakisht dyshohet se gjithçka ka ndodhur pasi policia ka ndalur në rrugë një automjet për kontroll rreth orës 14:00 të ditën së djeshme, por dy personat që ndodheshin brenda kanë kundështuar forcat “Shqiponja” duke mos iu bindur dhe më pas janë shoqëruar në komisariat.
Pas këtij shoqërimi në mjediset e policisë kanë mbërritur vëllezërit Marjan dhe Mateo Doçi duke qenë se makina e ndaluar ishte e tyre. Ata janë njoftuar nga dy personat që ndodheshin në automjet për ndalimin nga ana e policisë.
Bëhet me dije se dy vëllezërit kanë kërkuar që automjeti të nxirret me forcë nga mjediset e komisariatit dhe aty janë konfliktuar edhe me një efektiv duke e goditur. Pas kësaj ngjarjeje, dy vëllezërit Doçi janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim i forcave të policisë”. Nën hetim është dhe një 19-vjeçar me iniciale E. L., drejtues i mjetit, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.