Policia e Lezhës ka reaguar pas publikimit të një video, ku shfaqeshin disa persona të armatosur në një lokal, në aksin e vjetër Lezhë-Milot.

Personat e armatosur janë futur në lokal për t’u përballuar me pronarin, por fatmirësisht ky i fundit nuk ishte prezent, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Kujtojmë se tre personat e armatosur u larguan pasi kontrolluan kartat e identitet të klientëve që ishin në lokal, pa vjedhur apo dëmtuar diçka.

“Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datën 13 nëntor 2021, në lokalin në pronësi të shtetasit A.K., në fshatin Zejmen dhe shtetasit që shfaqen në video, dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qënë prezent.

Gjithashtu, bëjmë me dije opinionin publik se ngjarja nuk është raportuar në Polici, si dhe nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka pasur vjedhje, as persona të dëmtuar.

Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :A.K. ,25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale “Moskallëzim i krimit “, kryer në bashkëpunim”, bën me dije policia.

Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon puna intensive për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë