Ka shkuar në dy numri i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm që përfshiu një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan. Pas disa orësh kërkimesh intensive nën rrënoja, shërbimet e Policisë, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Zjarrfikësit gjetën rreth orës 00:40 trupin e pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibro. Nga ngjarja humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, ndërsa 10 banorë të tjerë morën ndihmë mjekësore në spital si pasojë e asfiksisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Elbasanit, hetimet paraprake të kryera në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë konfirmojnë se shpërthimi dhe zjarri pasues janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në apartamentin e 69-vjeçarit. Drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Kastriot Skënderaj, sqaroi se në ambientet e brendshme është ndier erë e fortë gazi dhe në garazh është gjetur një bombol gazi, ndërsa ekspertiza përfundimtare do të përcaktojë dinamikën e plotë.
Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi dëme të rënda strukturore, ku muret dhe shkallët u shembën duke bërë që tre kate të godinës u kthyen ne germadhe. Si pasojë e rrezikut të lartë, 15 familje janë evakuuar menjëherë nga vendngjarja. Bashkia e Elbasanit ka marrë masa për sistemimin e tyre, ku një pjesë e banorëve janë akomoduar në konvikte, ndërsa pjesa tjetër është strehuar te të afërmit e tyre.
Aktualisht, godina është shpallur plotësisht e pabanueshme dhe policia ka vendosur një perimetër të rreptë sigurie rreth saj. Ndërtesa do të qëndrojë e bllokuar deri në mbërritjen e ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, të cilët do të kryejnë vlerësimin teknik për të përcaktuar nëse struktura mund të rikonstruktohet apo nëse do të ndiqen hapat për prishjen e saj.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon veprimet procedurale në terren për zbardhjen e të gjitha rrethanave teknike, ndërsa materialet hetimore i janë referuar zyrtarisht Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për vlerësim të mëtejshëm ligjor.





