Shqipëria u rikthye te fitorja në Ligën e Kombeve, pasi mposhti minimalisht Gjeorgjinë, në sfidën e vlefshme për raundin e katërt.
Triumf me vuajtje për kuqezinjtë, që në një lloj mënyrë “hakmerren” për atë humbje në Tiranë një muaj më parë.
Vlen të përmendet se kjo është një fitore historike për Shqipërinë, që triumfon për herë të parë në Gjeorgji.
Ky sukses e ngjit Kombëtaren shqiptare në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e tretë, po aq sa Gjeorgjia dhe Çekia e dy vendeve të para.
Ndeshja nisi spektakolare që në fillim, me raste të shumta në të dyja portat. Shqipëria regjistroi mundësin e parë të rrezikshme pas vetëm 2 minutave lojë, me një gjujatje të Qazim Laçit nga jashtë zone, e cila u ndal nga portieri.
Gjashtë minuta më vonë, ishte Ismajli që provoi me kokë, pas një skeme nga goditja e dënimit, por gjuajtja nuk kishte koordinatat e duhura.
Në minutën e 11-të, Strakosha bëri një pritje të shkëlqyer, për t’i mohuar avantazhin Davitashvili. Tuci ishte i pafat 3 minuta më vonë, kur pa gjuajtjen e tij të ndalej nga Mamardashvili. Minutat e mbetura ishin më të qetë dhe fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Shqipërinë. Në minutën e 48-të, Kristjan Asllani pas një kombinimi me Tucin, ia doli ta dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje të fortë.
Ky gol i dha besim Shqipërisë, që krijoi edhe disa raste të tjera, me Bajramin dy herë dhe me Dakun, por topi nuk shkoi në rrjetë. Në minutat e fundit, Gjeorgjia shtoi presionin, por Ajeti dhe Strakosha mbajtën portën të paprekur në dy raste.
Gjeorgji-Shqipëri, pjesa e dytë
95‘- Mbyllet ndeshja.
92’- Ndërhyrje vendimtare e Ajetit, që shpëton një gol thuajse të sigurt.
90‘- Akordohen 5 minuta shtesë.
88’- Gjuan Kvaratskhelia nga faulli, por ndal Seferi me kokë, i vendosur në murin mbrojtës.
80’- Kundërsulm i Shqipërisë me Seferin, i cili gjuan, por topi devijohet dhe shkon lehtësisht në duart e portierit.
77’- Zëvendësimi i dytë te Shqipëria. Bajrami i lë vendin Seferit.
75’- Tjetër rast i mirë për Shqipërinë. Bajrami rikuperon në top në hyrje në zonë, por gjuajtja shkon lehtë në duart e Mamardashvili.
71’- Super Strakosha dhe Ismajli, që i mohojnë golin në dy raste sulmuesit Mikautadze.
69’- Krosim i shkëlqyer i Asllanit për Dakun në zonë, me kokë sulmuesi gjuan jashtë, duke humbur një rast të mirë për të dyfishuar.
66’- Zëvendësimi i parë te Shqipëria, Daku merr vendin e Tucit.
64’- Shpëton porta e Shqipërisë, gjuajtja e Zivzivadze me kokë nuk ka koordinatat e duhura dhe shkon jashtë.
57’- Shqipëria i afrohet golit të dytë. Pas një pasimi të marrë nga Asani në zonë, Bajrami gjuan direkt, por topi shkoi ngjitur me tranversën. Futbollisti i Shqipërisë nuk i beson syve.
48’- Gooool Shqipëria 0-1! Zhbllokohet sfida në Tbilisi. Bajrami shpërthen nga e majta dhe pason te Tuci, i cili bën spondin për Asllanin, me mesfushorin që lëshon një gjuajtje të fortë dhe e ndal topin në rrjetë.