Skrapar- Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Berat ditën e sotme, nën akuzë për moskallëzim krimi.

Mësohet se i arrestuari ishte paraqitur ditën e djeshme me një plagë në spitalin e Beratit, ndërsa kishte deklaruar se ishte dëmtuar ndërsa po punonte në oborrin e shtëpisë së tij. Por pas ekzaminimeve mjekësore, rezultoi se plaga i ishte shkaktuar me armë zjarri. I plagosur me armë zjarri ka mbetur Valter Braho.

Bëhet e ditur se Braho është qëlluar me armë zjarri nga Andrea e Daniel Ajasllari në fshatin Greve të Skraparit. 43-vjeçari mësohet se ka kryer disa punime në banesën e Andrea e Daniel Ajasllari, më pas ka kërkuar lekët për punën e kryer. Në këtë moment mes tre personave ka nisur një debat që ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.

Valter Braho është transportuar në spitalin e Beratit nga familjarët e tij, ndërsa para policisë ka mashtruar duke thënë se është plagosur vetë, me thikë.

Pas hetimeve, policia mësoi se ngjarja nuk ishte siç e tregonte i plagosuri pasi ai ishte qëlluar me armë zjarri. Kështu 43-vjeçari i plagosur është arrestuar nën akuzën për mos kallëzim krimi. Ndërkohë sipas policisë në kërkim është shpallur edhe Andrea Ajasllari i cili dyshohet si autori që ka qëlluar ndaj 43-vjeçarit me armë.