Në një lidhje direkte për Ora News, sinoptikania Lajda Porja ka bërë një pasqyrë të motit për muajin qershor, i cili pritet të karakterizohet nga temperatura të larta dhe luhatje të shkurtra atmosferike.
Ajo ka bërë të ditur se i nxehti afrikan që ka nisur të ndikojë që në fund të majit do të vijojë edhe gjatë javëve të para të qershorit, duke sjellë temperatura që variojnë nga 32 deri në 34 gradë Celsius.
Pas datës 5 qershor, pritet një rritje graduale e temperaturave, ku termometri mund të arrijë deri në 35–36 gradë.
Sipas parashikimeve, muaji do të jetë më i nxehtë se një qershor i zakonshëm, por jo plotësisht i qëndrueshëm. Në disa zona do të ketë rrebeshe të shkurtra, të cilat do të zgjasin pak minuta dhe do të shfaqen kryesisht në orët e pasdites.
“Javën e parë të qershorit temperaturat do të jenë rreth 33–34 gradë. Pas datës 5 pritet një rritje graduale deri në 35–36 gradë. Këto masa të nxehta afrikane do të jenë të pranishme gjatë gjithë verës, me ndërprerje të shkurtra.”-shpjegoi sinoptikania.
Rrebeshet e verës do të jenë të lidhura me zhvillime të shpejta të vranësirave konvektive, të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Ato pritet të prekin kryesisht zonat malore dhe pjesën lindore të vendit, ndërsa vija bregdetare mbetet më e qëndrueshme.
Mes qyteteve ku priten më shpesh këto zhvillime janë Tirana, Kukësi, Puka, Bajram Curri, Peshkopia, Bulqiza, Korça, Pogradeci, Erseka, Tepelena dhe Gjirokastra. Në disa raste, reshjet mund të shfaqen edhe në bregdet, por do të jenë të shkurtra dhe kalimtare.
“Rrebeshet do të jenë të shkurtra, zakonisht disa minuta deri në një orë, kryesisht në zonat malore dhe lindore. Edhe në bregdet mund të ketë reshje të izoluara, por nuk do të ndikojnë në motin e përgjithshëm dhe sezonin veror.”-nënvizoi ajo.
Sipas parashikimit, deri rreth datës 10 qershor moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm, ndërsa në datat 11–12 mund të ketë një ndërprerje të shkurtër me reshje kalimtare, pas së cilës pritet rikthim i motit të kthjellët dhe temperaturave të larta.





