TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme ka punësuar motrën e Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë, personit të arrestuar për dhjetëra vrasje me pagesë në vend ditët e fundit. Xhuljana Dumani rezulton se është pajisur edhe me ceritifikatë sigurie pasi punon në zyrën e marrëdhënieve me NATO-n në dikasterin e diplomacisë. Gazetari Elton Qyno shkruan për “Oranews”, shkruan se e reja punon në një nga institucionet më të rëndësishme në vend, edhe pse i vëllai ka konfirmuar në SPAK pjesëmarrjen e tij në dhjetëra atentate. Madje, Policia e Shtetit rezulton se ka marrë në mbrojtje të renë, e cila ka në dorë informacione sekrete të sigurisë dhe diplomacisë.

“Motra e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, personit që ka treguar dhjetëra krime të rënda në Prokurorinë e Posaçme SPAK, rezulton të jetë punonjëse e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Xhuljana Dumani është pjesë e këtij dikasteri, duke shërbyer në funksione të ndryshme, dhe së fundi Zyra e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë, i ka dërguar asaj edhe certifikatën e sigurimit të personelit. Xhuljana Dumani, shërben pranë Zyrës së Nën/rregjistrit të Informacionit të Klasifikuar për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme,”-shkruhet ndër të tjera në artikull.

24-vjeçarja është pjesë e zyrave të shërbimit në Drejtorinë për NATO-n, që ndodhet në Ministrinë për Europën dhe Punëve të Jashtme, ndërsa në një kërkesë të datës 25 Maj 2022, të bërë nga Ora Neës për marrje informacioni pranë Ministrisë së Jashtme, ky dikaster është pyetur nëse Xhuljana Dumani ishte pjesë e organikës së këtij institucioni. Por nuk ka marrë asnjë përgjigje, as pozitive, as negative.

Ndërkohë që nuk kishte konfirmim zyrtar, në datën 6 qershor 2022, Drejtori i Drejtorisë së “Vettingut” dhe sigurimit Industrial, Mark Ndreca, ka firmosur dhënien e Certifikatës së Sigurisë të Personelit për punonjësen Xhuljana Agim Dumani. Madje edhe sot vijon të jetë ende në detyrë.

Ndërsa i vëllai, konsiderohet një nga dëshmitarët kryesorë, pasi ka treguar më shumë se 20 episode kriminale, duke nxjerë rreth 100 emra të botës së krimit, duke zbardhur ngjarje që kanë nisur që në vitin 2011, ku ka gisht edhe vetë ai. Duke nisur nga grabitjet, deri tek kontraktimi për vrasje me pagesë.