Ministri i Jashtëm Igli Hasani do të përmbyllë vizitën në Itali ditën e sotme, 6 shkurt. Rreth orës 10:00 Hasani do të pritet nga homologu Antonio Tajani, të cilët do të firmosin marrëveshjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore. Nga kjo marrëveshje do të përfirojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, si edhe italianët në vendin tonë.

Më pas dy ministrat do kenë dhe një deklaratë për mediat, ndërsa në orën 14:30 Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.

Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të dy vendeve. Pas firmosjes së marrëveshjes, 2 ministrat e Jashtëm do të mbajnë edhe një konferencë për mediat.

Kujtojmë se Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës u vjen në ndihmë mbi 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali.

AXHENDA
– Ora 10:00 – Takim me homologun italian, Antonio Tajani dhe firmosja e marrëveshjes për sigurimet shoqërore.
-Ora 11.00 Deklaratë për median e dy ministrave.
-Ora 14:30 – Takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.

Ndërsa sot do të firmoset marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italianë, kryeministri Rama shkruan se do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj. Po ashtu përfitues janë edhe italianët që jetojnë në vendin tonë.

“MIRËMËNGJES dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.