TIRANË- Sot është provimi i parë i Maturës Shtetërore! Mbi 33 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës së huaj në vend. Nga 33 mijë, 8 mijë nxënës janë në qarkun e Tiranës ndërsa 2 mijë janë ngelës të vitit të kaluar.
Provimi nis në orën 10:00 dhe mbyllet në 12:30. Nxënësit kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet 2 orë e 30 minuta. Përpara se të hyjnë në provim nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete si dhe mjetet shkollore të nevojshme.
Testimi do të ketë gjithsej 60 pyetje për tu plotësuar dhe për të kaluar një nxënës, duhet të marrë minimumi 25 % të pikëve, pra mbi 15 pikë.Mësuesit që kanë ndërtuar pyetjet u ngujuan në Qendrën e Shërbimeve Arsimore për disa ditë në mënyrë që të shmanget përhapja e kopjeve.
Niveli i vështirësisë: 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.
Në klasa do të jenë 15-20 nxënës, në varësi të klasës, ndërsa kushtet do të jenë strikte. Mjediset do të jenë në dispozicion për 150 nxënës, si dhe distanca mes nxënësve do jetë 120 cm. Ndërkohë, nëse maturanti kapet me telefon, kopje, duke ndryshuar vendin e caktuar, duke marrë dhe dhëne informacioneve, refuzon kontrollin dhe prish qetësinë, do të penalizohet dhe do shkojë për vjeshtë.
Provimi i maturës për Gjuhën shqipe dhe Letërsinë do të zhvillohet me 11 qershor, matematika me 17 qershor, dhe 24 qershor lënda me zgjedhje.