Kryeministri Edi Rama sërish nuk dha datë konkrete, por tha se premtimi për lëshimin në hapësirë të dy satelitëve që do të mbajnë emrat “Albania 1” dhe “Albania 2” do të mbahet “shumë shpejt.
Rama shprehet se kjo do të ndodhë me patjetër dhe pati një përgjigje edhe për ata që e përqeshën dhe tallën pas deklaratës së bërë në Parlament të enjten që kaloi.
“Do të ndodhë shumë shpejt. E kam thënë seriozisht dhe më vjen keq për të gjithë ata që bëjnë kompetentin. Por mua më ka ndodhur gjithmonë me shumë gjëra që kam thënë që janë ngritur përqeshur, tallur e shpotitur. E kam thënë që ata që më qeshin për stadiumin do të vijnë aty te tribuna dhe ja ku është”, u shpreh ai në një intervistë për Euronews.
Kryeministri tha se satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të jenë në “orbitë dhe do të na bëjnë një punë më të madhe për të pasur një kontroll shumë më cilësor të territorit”.