Himarë- Familja Avdia ka hapur sot dyert e mortit, pas tragjedisë së rëndë ndodhur dje në Himarë, ku vogëlushja e tyre 7 vjeçare u plagos për vdekje nga skafi që drejtohej nga ish-shefi i Komisariatit të kësaj bashkie, Arjan Tase.

Pritet që rreth orës 15;00 vogëlushja të përcillet në banesën e fundit. Familjarët kanë thënë se gjithçka ja kanë lënë në dorë drejtësisë.

Deri më tani, polici Arjan Tase ndodhet i shoqëruar në polici ndërsa priten hetimet e mëtejshme për të zbardhur të plotë tragjedinë e ndodhur në Potam të Himarës.

Arjan Tase ka deklaruar para efektivëve të policisë se skafi të cilin drejtonte ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend.

Një ditë më parë u bë me dije se pas ngjarjes, ai është shkarkuar përfundimisht nga radhët e policisë.