Ismet Zoto, 39-vjeçari nga Shijaku që pak javë më parë u konfliktua me një 23-vjeçare nga Barcelona, është arrestuar.

Ai akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion 23-vjeçaren nga Barcelona dhe 4 vajza të tjera nga Kolumbia, Venezuela e Spanja. Këto shtetase të huaja kishin marrë me qira një banesë në lagjen nr.2 të Durrësit dhe aty ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit dhe konsumin e lëndëve narkotike.

Kjo ‘strehëz’ prostitucioni u zbulua pasi mesditën e 5 marsit, 39-vjeçari Zoto u konfliktua me 23-vjeçaren nga Barcelona dhe kjo e fundit u hodh nga kati i dytë i pallatit. Kur u mor në pyetje ajo deklaroi se ishte një debat i çastit, por hetimet e mëtejshme zbuluan se ngjarja lidhej me prostitucionin.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë hetimet e thelluara për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e implikuar në një rast prostitucioni, të goditur nga Policia, më datë 6 mars 2024. Vihet në pranga 39-vjeçari që u konfliktua me 23-vjeçaren nga Barcelona.

Ai akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion, këtë shtetase dhe 4 të tjera të huaja, në një banesë me qira, në lagjen nr. 2, ku gjithashtu konsumoheshin lëndë narkotike. Më herët, për rastin u proceduan penalisht 5 shtetaset e huaja.

Si rezultat i veprimeve hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të përcaktuar plotësisht autorësinë dhe rrethanat e mbajtjes së një banese në lagjen nr. 2, Durrës, për prostitucion dhe për konsumim të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak. Në lidhje me rastin, për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.