Një 28-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë ditën e sotme në aeroportin e Rinasit, pasi u kap me një shumë të madhe parash të padeklaruara.
28-vjeçari ishte kthyer nga Anglia ku ishte dhe rezident, ndërsa në një çantë iu gjetën një sasi prej 21 550 paund, të cilat nuk i kishte deklaruar në kufi. Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm ndaj shtetasit F. B., 28 vjeç, rezident në Angli.
Gjatë kontrollit fizik, në çantën e tij iu gjetën 21 550 paund stërlina, të cilat nuk i kishte deklaruar në kufi.
Në përfundim të veprimeve të para, shtetasi F. B. u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi” dhe materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.




