Ka rënë në pranga shqiptari Nezdet Vokshi 52 vjeç, i cili është një ndër më të kërkuarit në Holandë. Vokshi është arrestuar në Ekuador pasditen e së shtunës, i dyshuar për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Pothuajse 10,000 kilometra larg vendit të tij të lindjes Vokshi, u arrestua në León Febres Cordero Avenue në rrugën për në Samborondón Ekuador.

Vokshi ishte në Listën e Kuqe të Interpolit që nga 15 marsi pasi shërbimet hetimore gjetën vendndodhjen e tij. Sipas hetimeve ai ishte i arratisur që nga viti 2010 dhe fillimisht iku në Peru. 52-vjeçari u kap teksa drejtonte një kamion Ford në rrugën që të çon në urbanizimin e Ciudad Celeste, një zonë pranë rezidencës së tij në Villa Club.

Ai ndodhej në Ekuador me gruan dhe vajzën e tij që nga viti 2018, vit në të cilin ai kaloi nga Peruja në Ekuador përmes kufirit tokësor. Policia pas arrestimit sekuestroi edhe 6 celulare. Nga kërkimet e bëra Vokshi ishte regjistruar si tregtar frutash në Ekuador. Prej kohësh ai mundi t’i shpëtojë autoriteteve, ndërsa rezulton se ishte regjistruar po ashtu si tregtar edhe në Barcelonë, Spanjë.