Mëngjesin e 9 tetorit në Spitalin e Shkodrës u paraqit i plagosur në bark shtetasi Isak Mehmedaj. Ai deklaroi se ishte qëlluar në pritë nga disa persona që nuk i njihte.
Pas kësaj ngjarje policia ka nisur veprimet hetimore dhe ka zbuluar variantin tjetër të ngjarjes.
Policia e Shkodrës bën me dije se “Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifikuara, nga hetimet e thelluara rezultoi se:
Shtetasi I.M., është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale.
Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues ne fshatin Mushan Shkoder, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.