Mes dhimbjes dhe lotëve është përcjellë për në banesën e fundit nënkomisari Arben Pjeçi, i cili i dha fund jetës në kushte të rënduara psikologjike.
Kanë qenë të shumtë familjarët, kolegët dhe miqtë që i kanë dhënë lamtumirën e fundit, teksa kanë treguar se do ta kujtojnë gjithmonë si një njeri të veçantë.
Specialisti i krimeve të rënda, Arben Pjeçi u vetëvra mesditën e së enjtes brenda ambienteve të Komisaritatit të Policisë Durrës.
Babai i dy fëmijëve me një karrierë të gjatë 35 vjeçare në radhët e policisë dyshohet se I dha fund jetës më kushte te rënduara psikologjike.
Rëndimi i gjendjes së tij erdhi pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës Durrës për plagosje të lehtë, si pasojë e një konflikti me komshiun në qershor të 2022, për shkak të një vend parkimi.
Ndërsa, siç bën me dije policia e Durrësit në njoftimin zyrtar vendimi i Gjykatës i formës së prerë kishte filluar të ekzekutohej nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.
Krahas dënimit me 40 orë pune shërbimi në komunitet, nënkomisari Pjeçi do të duhej të largohej nga radhët e policisë.
Për ngjarjen e rëndë është ngritur dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.