Policia e Elbasanit ka shoqëruar dy persona të dyshuar si përkrahës të autorëve të vrasjes së të riut Albi Bashaliu në Gjocaj të Peqinit.
Personat e arrestuar janë shtetasit Veiz Bashaliu dhe Mikel Xhaja, të dy banues në këtë fshat.
Burime nga policia bënë me dije se ga tërësia e veprimeve hetimore të kryera gjatë dy ditëve është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.
Në kuadër të masave të marra nga policia dhe hetimeve rreth ngjarjes për të identifikuar dhe kapur autorët në aksin rrugor Gosë-Vilbashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima, shtetasi Albi Bashaliu.
Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.
Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.
Nga strukturat policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
Vrasja e të riut Albi Bashaliut që tronditi Peqinin, dyshohet se është një krim me pagesë, ndërsa hakmarrja për shkak të konflikteve është pista kryesore.