ELBASAN- Ditën e sotme është shtyrë seanca në Gjykatën e Elbasanit ndaj katër të miturve, të cilët vranë me thikë Fatjon Bici. Vrasja e Bicit u regjistruar në maj të vitit 2023 në Gramsh. Mësohet se shkak i shtyrjes së seancës ka qenë mungesa e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues pasi kishte për probleme shëndetësore.
Trupi gjykues ka pranuar gjykim të shkurtuar për 4 adoleshentët, vendim i cili është kundërshtuar nga familjarët e viktimës. Në seancën e sotme pritej pretenca e prokurorit. Në rastin e një gjykimi të shkurtuar 4 adoleshentët të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” rrezikojnë dënimin deri në 8 vite burg. Ndërsa në një gjykim normal ata nuk do të mund të dënohen më shumë se 12 vite burg, siç parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur.
Si ndodhi ngjarja?
16-vjeçari Bici u vra me thikë pas një sherri me 4 bashkëmoshatarë. Ai ka qenë në shkollë atë ditë dhe pasi përfundoi mësimin pa kushëririn e tij 15-vjeçar Marko Bici që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur. Mirëpo, si pasojë e goditjeve me thikë, humbi Bici, ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur.
4 të rinjtë, pas arrestimit nga policia ditën e ngjarjes, në prani edhe të psikologut, rrëfyen se sherri me Marko Bicin kishte nisur rreth 2 muaj më parë, mirëpo vijoi edhe më tej në rrjetet sociale. Në dosjen e prokurorisë, citohen edhe mesazhe të shkëmbyera mes djemve në konflikt në platformën sociale snapchat ku i dërgonin njëri tjetrit thika dhe përforcues grushti e duke thënë se këto mjete do t’i përdornin ndaj njëri-tjetrit dhe për fat të keq kështu ndodhi duke përfunduar në një tragjedi.





