Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e ish-efektivit të policisë, Xhelal Reçi në Laç.
Viktima rezulton të jetë një ish-efektiv policie pa probleme me drejtësinë, ndërsa djali i tij Besniku dhe i vëllai Samiu, kanë patur precedent, madje edhe atentate të bujshme të kryera ndaj tyre.
Anëtarët e kësaj familje njihen për aktivitetet me të cilat merren, që kanë të bëjnë me pika të njohura biznesi. Ata janë bërë shpesh shënjestra të atentateve dhe sherreve, ndërsa rekordin e mban Besnik Reçi, djali i Xhelalit që u ekzekutua sot.
Grabitjet dhe atentatet
Në 2013 një grabitje me armë e maska ndodhi vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Pesë persona të maskuar plagosën me armë zjarri pronarin e dyqanit dhe izoluan bashkëshorten e punonjëset e tij. Më pas ata arritën të marrin një shumë të konsiderueshme parash e flori, që sipas raportimeve të kohës arrinin në shumën e 10 milionë lekëve të rinj.
Grabitësit janë afruar me një mjet dhe janë futur me shpejtësi në dyqanin dykatesh në pronësi të 36- vjeçarit Sami Reçi, por rezistenca e këtij të fundit për pak i kushtoi jetën. Për pasojë, Reçi mbeti i plagosur rëndë.
Më 15 gusht të vitit të kaluar i bëhet atentat në aksin që lidh Shëngjinin me Lezhën, Besnik Reçit, djalit të viktimës së sotme.
Autorët e ndoqën ndërsa pamjet që u publikuan në atë kohë u bënë virale. Dy persona në një motor këmbëngulin për ta ekzekutuar, por nuk ia arriten. Atentati, që ndodhi në mes të ditës dhe në një zonë shumë të populluar nuk është zbardhur ende nga policia.