Autori i dyshuar i ngjarjes në Dhërmi Gerald Shehu është arrestuar në Greqi, ndërsa policia është duke vijuar kërkimet për gjetjen e 31-vjeçarit Eraldo Novruzit, i cili dyshohet se u qëllua në një hotel në Dhërmi.
Gerald Shehu ka përdorur pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës për të kaluar drejt Greqisë.
Pas kësaj mendohet se ai ka shkuar në Igumenicë e më pas me traget drejt Korfuzit.
Ai do të shfrytëzonte më pas aeroportin e ishullit për të udhëtuar drejt Anglisë.
Pikërisht në aeroport është ndaluar edhe nga policia greke me qëllim ekstradimi.
Dyshimi ndërkohë i policisë shqiptare është që Gerald Shehu është ndihmuar nga dikush.
Kjo për faktin që ai ka lënë automjetin e tij në një parking privat në Sarandë dhe më pas ka udhëtuar me taksi për rreth 45 minuta drejt Qafë Botës.
Policia po heton se kush e ka ndihmuar Shehun me fshehjen e mjetit dhe me largimin e trupit të Eraldo Novruzit nga hoteli.





