Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi vendimin për dënim me burgim të përjetshëm për Dashamir Xhepën.

Xhepa është shpallur fajtor për vrasjen e kunatës së tij, Liri Xhepa, dy vite më parë.

Liri Xhepa u gjet e pajetë pranë liqenit të Sharrës më 14 shkurt të vitit 2019. Hetimet zbuluan se 49-vjeçarja ishte vrarë në një tjetër vend dhe më pas trupi i saj është dërguar atje.

49 vjeçarja u gjet nga kalimtarë të rastit e masakruar pranë liqenit të Sharrës në shkurre, mëngjesin e 14 shkurtit.

Kunati i saj dyshohet se e ka vrarë për shkak se nuk e lejonte që viktima të krijonte një lidhje të re dashurie, edhe pse bashkëshorti i kishte vdekur 10 vite më parë.

Dy prej djemve të 49-vjeçares janë emigrantë dhe jetojnë prej vitesh jashtë shtetit, ndërsa një tjetër ndodhet në burg. Ajo jetonte vetëm me djalin tjetër adoleshent.

Vendimi i Apelit

Në datë 14.02.2019 në Tiranë, në fshatin Sharrë, pranë Liqenit në Kombinat është gjetur trupi i pajetë i shtetases Liri Xhepa. Për këtë vrasje është akuzuar kunati i saj, shtetasi me inicialte D.XH.Referuar interesimit të medias për këtë rast njoftojmë se:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvillua gjykimin lidhur me çështjen penale me të pandehur D.XH, akuzuar për kryerjen e veprës penale “ Vrasje për shkak të marëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyesedhe i municionit”, parashikuar nga neni 79/c dhe 278/1 të Kodit Penal.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 116, datë 21.01.2021 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehuri D.XH dhe dënimin me burgim të përjetshëm.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri D.XH, i cili kërkoi pafajësi.

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 437datë 05.10.2021 vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr.116, datë 21.01.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë