TIRANË– Shqipëria është ‘nën ethet’ e zgjedhjes së Presidentit të ri! Ditën e sotme do të nisin zyrtarisht procedurat. Në orën 12:30, Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë dhe përcaktojë datën e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Për këtë Partia Socialiste ka propozuar datën 10 maj, ndërsa Partia Demokratike ende nuk është shprehur për një datë të caktuar.

Nëse në raundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk do të marrë 84 vota, atëherë jo me vonë se 7 ditë vijohet me raundin e dytë, i cili kërkon po aq vota sa i pari. Palët kanë mundësi të votojnë një emër konsensual deri në raundin e 3-të, në të kundërt mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të. Brenda grupit parlamentar socialist, ku secili prej deputetëve ka propozuar 3 emra të cilët nuk janë bërë publik. Kryeministri Rama ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ri të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Deri më tani asnjë prej grupeve parlamentare nuk ka mbështetur publikisht një kandidat të caktuar.

Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Po ashtu, bazuar në procedurën e Kushtetutës një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë, por raundi konsiderohet “i djegur”. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota, të cilat Partia Socialiste i ka dhe i kalon në Kuvend, por është shprehur se kërkon konsensus që presidenti të jetë mbi dhe i zgjedhur nga të gjitha palët.