GRAMSH- Shpallet i zhdukur një 30-vjeçar në Gramsh. Bëhet me dije se 30-vjeçari I.Brahimi është bari nga fshati Pishaj.

Sipas familjarëve Brahimi mund të jetë mbytur në liqenin e Banjës. Në anë të liqenit familjarët kanë gjetur një qese me duhan që i përkiste Brahimit.

Mësohet se polumbarët nuk kanë nisur ende kërkimet por janë rrugës drejt vendngjarjes. Ndërkohë bëhet me dije se 30-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Njoftimi i Policisë:

Gramsh/Informacion paraprak

Mëngjesin e sotëm, në Komisariatin e Policisë Gramsh, ka kallëzuar shtetasi S.B., se pasditën e djeshme, i ishte larguar nga banesa djali i tij shtetasi I. B., 30 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë sëbashku me familjarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij, dhe rreth orës 12:30, kanë gjetur në afërsi të liqenit të Banjës, në fshatin Qerret, sende të 30-vjeçarit (qese me duhan), i cili dyshohet të jetë vetëmbytur në liqen.

Shërbimet e Policisë, zjarrfikëses sëbashku me familjarët vijojnë kërkimet përgjatë rrjedhës së liqenit. Gjithashtu, me qëllim gjetjen e trupit të shtetasit I. B., janë nisur polumbarët e RENEA-s.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.