Kosova ka regjistruar 24 viktima gjatë 24 orëve të fundit, ku janë shënuar edhe 890 raste të reja me COVID-19. Ndërkaq, raportohet se ka ndërruar jetë edhe një lehonë 26 vjeçare nga Vitia.

Rasti është konfirmuar nga doktori i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Gazmend Spahija.

“Mund t’a konfirmojë vdekjen, rreth orës 02:30 të ditës së sotme pacientja e lindur në vitin 1995 ka vdekur nga COVID-19. E ndjera i ishte nënshtruar operimit cezarian për kryerjen e lindjes. Mirëpo, për shkak të gjendjes së rënduar, pasi ka pasur dëmtim të madh të mushkërive, është sjellë në mjekim intensiv”, tha Spahija për mediat e Kosovës.

Njoftimi i MSH-së

05 Shtator 2021: Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon:

Në 24 orët e fundit janë dhënë 19.526 doza të vaksinës kundër COVID-19

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 922.623 doza të vaksinës.

Deri më sot 307.467 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Nga 10.614 testime, 890 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 24 raste të vdekjes.

Sot janë shëruar 1.712 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 123.852.

Në total numri i rasteve aktive është 26.688.