ITALI- Altin Kokici është 51-vjeçari shqiptar, që ka humbur jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi në Padova të Italisë. Ngjarja ndodhi gjatë mbrëmjes të së mërkurës, ndërsa në objekt po kryheshin punime rikonstruksioni.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, Kokici i cili kishte një kompani të specializuar në punime ndërtimore në provincën e Vicencës, dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit, duke humbur jetën si pasojë e rënies. Familjarët ngritën alarmin pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk jepte më asnjë shenjë jete që prej pasdites.

Vendndodhja e tij u përcaktua përmes sinjalit të celularit, i cili tregonte se 51-vjeçari ndodhej ende pranë kantierit. Policia mbërriti në objekt dhe, pasi telefonoi numrin e tij, arriti të lokalizonte hapësirën e ashensorit, ku u gjet trupi i pajetë. Në vendngjarje shkuan edhe ekipet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.