Antonella Roccuzzo, gruaja e Lionel Messit, sot mbush 34 vjeçe. Kampioni argjentinas i Paris Saint-Germain ka dashur t’i dedikojë asaj një mesazh urimi në Instagram: “Gëzuar ditëlindjen jeta ime! Të uroj një ditë të mrekullueshme! Të dua!”

Po si lindi dashuria mes të dyve? Pse lojtari më i mirë në botë ka zgjedhur një vajzë nga lagjia e tij, vajzën e pronarit të një supermarketi? E gjitha ka filluar në vitin 1996, kur Messi dhe Lucas Scaglia, kushëri i Antonella dhe bashkëlojtar në nivelet më të ulëta të Newell, bashkë me bashkëshorten aktuale të yllit argjentinas, filluan të shoqërohen shumë në Rosario.

Leo, asokohe ishte vetëm 9 vjeç, por ndjeu dashuri për të bijën e pronarit të zinxhirit të supermarketeve në Rosario. Megjithatë, ata që e njohin nuk harrojnë se qysh i vogël, Leo shkroi disa letra, në të cilat njoftonte se një ditë Antonella do të jetë e dashura e tij.

Ky fakt nuk ishte zbuluar derisa Messi mbushi 21 vjeç dhe zyrtarizoi marrëdhënien me Antonella. Ai ishte i ftuar në programin “Hat Trick Barça”, në televizionin katalanas (TV3). Në janar të vitit 2009, Messi formalizoi marrëdhëniet e tij me Antonella Roccuzzo, pa e përmendur atë.
Drejtuesit e emisionit televiziv e pyetën: “A ke një të dashur?” Dhe Leo Messi u përgjigj: “Po, e kam një të dashur, por është në Argjentinë. Në të vërtetë jam shumë mirë në këtë drejtim, jam i qetë.”

Që nga ajo kohë, Antonella Roccuzzo, e cila gjithmonë ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Leon, ishte e lidhur tashmë me jetën e Messit. Ai moment shërbeu që të dy ta forconin marrëdhënien, por zgjodhën ta mbajnë gjithçka private.

Messi u kthye në Barcelonë, ndërsa Antonella filloi të studiojë për stomatologji në Universitetin Kombëtar të Rosarios, duke ia lënë në dorë dashurinë e tyre komunikimit social. Antonella e ka pranuar publikisht marrëdhënien e saj me Messin më 20 korrik 2007.

Megjithatë, konfirmimin se marrëdhënia e tyre është zyrtarizuar tashmë, e ka dhënë para “World Cup 2010”, kur Roccuzzo udhëtoi për herë të parë në Barcelonë dhe u vendos në shtëpinë e Leo Messit.

Produkt i kësaj lidhjeje janë tre djemtë, të cilët e kanë mbushur shtëpinë e çiftit të njohur. Sikurse shihet, jeta e Messit dhe Antonella Roccuzzo ishte e destinuar për një histori të madhe dashurie. Leo gjithmonë e dinte se e donte atë dhe ajo e kishte pritur me një durim të admirueshëm.