GJERMANI- Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur të dielën pasdite Gjermaninë, ku si pasojë e një përplasjeje zinxhir mes nëntë automjeteve kanë humbur jetën tre persona. Mes viktimave janë edhe dy kosovarë, Leart Morina dhe Berhan Zeka, nga Komuna e Rahovecit.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën B311, pranë qytetit Erbach, në distriktin Alb-Donau, në Gjermani. Sipas njoftimit të policisë gjermane, dy viktimat e para ishin drejtuesit e automjeteve, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç. Ndërsa viktima e tretë, një pasagjer 26-vjeçar, i cili kishte marrë lëndime të rënda, ka ndërruar jetë të dielën në mbrëmje në spital.

Në aksident ka mbetur e lënduar rëndë edhe një pasagjere 26-vjeçare dhe dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Gjendja shëndetësore e pasagjeres nuk është bërë ende e ditur. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se aksidenti nisi kur një shofer 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një parakalimi me shpejtësi të lartë, në segmentin rrugor ndërmjet Dellmensingen dhe Donaurieden.

Automjeti fillimisht u përplas me disa vetura të tjera, përpara se të përplasej ballë për ballë me një automjet që po vinte nga drejtimi i kundërt. Pamjet nga vendi i ngjarjes dëshmojnë përmasat e rënda të aksidentit, ku njëra prej veturave është shkatërruar pothuajse tërësisht.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë ekipe të shumta të emergjencës, ndërsa autoritetet kanë angazhuar edhe një ekspert për të analizuar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit. Policia gjermane ka bërë të ditur se hetimet janë ende në vazhdim dhe se po intervistohen dëshmitarët që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes