TIRANË- Familja e Lear Kurtit ka dyshime se djali i tyre është dhunuar nga policia e shtetit. Nëna e 32-vjeçarit, ka treguar se ka parë shenja dhune dhe hematoma në trupin e djalit. Fatmira Mustafa ka shtuar më tej se Leari ishte një djalë që e donin të gjithë shokët dhe lagjia.

‘Kur e pashë ishte një tmerr, unë mendoj se ai ishte i dhunuar, iku i dhunuar, se çfarë thonë jo futi, e pabesueshme, kur ndiqen, gjithmonë e hedhin e jo nuk gëlltitin. Nisur nga shenjat, pashë dhe sot që kishte një hematomë, ai ishte i grushtuar dhe masakruar, ai ka marrë goditje të tmerrshme. Dje i thashë shokut që më sill rrobat e djalit, e kam parë dhe në varreza. Nuk kam fol fare me të, shokët më thonë se ai ishte i shokuar, e di shumë mirë se ai ishte shumë i fortë, ai vetëm i dhunuar dhe i tmerruar ka ikur. Këtu nuk ka shtet, kanë frikë të rinjtë, shikojnë orën dhe thonë obobo, kjo lagjia jonë është e sulmuar shumë. Me shenjat që kam parë ai ishte i dhunuar tmerrësisht. Policia e ka dhunuar se shokët e donin shumë, ato ia dinin natyrën dhe e pranonin.’-tha Fatmira Mustafa për gazetaren Klodiana Lala.

32-vjeçari u ndalua në orën 23:07 të mbrëmjes së 19 tetorit nga efektivët, në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por ka vrapuar. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekje, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore. Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre. Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.