Mungojnë gjithnjë e më pak ditë nga starti i Botërorit dimëror në Katar. Turneu do të fillojë më 20 nëntor 2022, me ndeshjen hapëse që do të luhet mes Katarit dhe Ekuadorit, duke përfunduar me finalen e shumëpritur të 18 dhjetorit në stadiumin ikonik “Lusail”.
Kampionët në fuqi të Francës janë ndër kandidatët për fitoren e titullit ndërkontinental së bashku me Brazilin e Neymar, Gjermaninë, Anglinë finaliste në “Euro 2020”, Argjentinën dhe Portugalinë e Messit e Ronaldos. Këta të fundit do të përpiqen në çdo mënyrë për të triumfuar në atë që ndoshta do të jetë pjesëmarrja e tyre e fundit në Kupën e Botës.
Një studim i kryer nga “BCA Research” bëri një parashikim se cilat ekipe mund të përballen me njëri-tjetrin në finale të turneut. Rezultati do të ishte i bujshëm: Portugalia kundër Argjentinës, Ronaldo kundër Messit.
Dy yjet që në dekadat e fundit kanë monopolizuar skenën e futbollit botëror mund të përballen me njëri-tjetrin në atë që do të ishte një nga ndeshjet më epike në historinë e këtij sporti. Sipas studimit, argjentinasi, aktualisht pjesë e PSG, do të triumfonte në finale, në dëm të portugezit që te Manchester United nuk po përjeton momentin më të mirë të karrierës së tij.
Për më tepër, ka shumë gjasa që ndeshja të përfundojë me penallti. Studimi u bazua në statistikat e dy lojtarëve në jetën reale dhe në video-lojën e FIFA-s, si dhe duke marrë parasysh të gjitha ndeshjet e pesë Botërorëve të fundit.
