TIRANË- Hajdutët në Tiranë vazhdojnë t’ua vënë fajin varfërisë dhe drogës si shtytëset më të mëdha që i detyrojnë të vjedhin. Këtë ka bërë edhe shtetasi A.P i moshës 40 vjeç, me arsim shtatë vjeçar, i cili sapo u identifikua për vjedhjen e një portofoli e kishte gati justifikimin: “I pranoj akuzat, por më kanë detyruar kushtet e vështira ekonomike për ta bërë një gjë të tillë si dhe përdorimi i drogës”, thuhet në fashikullin e policisë.

I vënë përpara provave të agjentëve, i riu konsiderohet si një person i skeduar më herët. Por kallëzimi që i çoi sërish policinë në derë të shtëpisë është ai i një vajze e cila gjendej në rrugën e Kavajës duke bërë pazar.

“Quhem O.SH dhe po bëja pazar. Kur hapa çantën për të paguar, vura re që ma kishin vjedhur portofolin. Brenda kisha 50 mijë lekë, kartën e identitetit dhe kartën e kreditit, patentën dhe dokumenta të tjera. Pas ngjarjes në fjalë njoftova shërbimin e klientit në bankë për të siguruar kartën e kreditit nga vjedhja e parave të tjera dhe punonjësit e bankës më vunë në dijeni se në orën 11:48 është tentuar për të tërhequr para nga banka në një nga bankomatet”.

Policia shkruan në dosje se banka e sipërpërmendur gjatë hetimeve të agjentëve ka vënë në dispozicion pamjet e kamerave të sigurisë nga bankomati ku u tentua që të tërhiqeshin para me kartën e vjedhur.

“U tentua të tërhiqeshin 200 mijë lekë dhe tentativa u përsërit për shumën 100 mijë lekë. Veprimet për tërheqjen e parave të sipër cituara nuk kanë përfunduar për shkak se personi që kryen këtë veprim vendosi kodin e gabuar të kartës PIN. Pamjet e administruara në hyrje të bankomatit ku u përdor karta i vihen në dispozicion komisariatit numër 3”,-citohet në shkresën e bankës. Mbas identifikimit të këtij shtetasi, fotografitë janë shpërndarë në disa shërbime të policisë së kryeqytetit dhe njohja e tij, sipas dosjes që ju tregua Gazetasi.al, u bë nga shërbimet e policisë për shkak të të kaluarës së tij si një shtetas i skeduar. I dyshuari nuk bëri rezistencë por sapo u vu përballë autoriteteve pranoi çdo gjë.

“I pranoj akuzat e ngritura. Jam në kushte të vështira, jam në moshë të re dhe e kam bërë i shtyrë nga nevoja për mbijetesë pasi jam përdorues droge”, ka deklaruar ai.

Por skeda e tij bëhet me dije se është e mbushur me ngjarje të tilla të vjedhjeve. Policia përmend se i dyshuari sipas një vërtetimi të gjendjes gjyqësore rezulton i dënuar më parë nëntë herë për të njëjtin krim, atë të vjedhjes.

“Ky fakt është i konfirmuar nga vërtetimi gjyqësor numër 7,”- deklaron policia për Gazetasi.al, që shton se tanimë shumë hajdutë ja vënë fajin drogës dhe varfërisë dhe që ndonëse këmbëngulin me këtë version, asnjëri nuk shpallet i pafajshëm.