Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim zyrtar lidhur me atentatin me armë zjarri të regjistruar mëngjesin e sotëm në qendër të Sarandës, ku mbeti i ekzekutuar 44-vjeçari Artan Murtaj (i njohur edhe si A. M.) dhe u plagos një kalimtar i rastit. Sipas komunikates zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55 në zonën e ish-agjencisë.
Nga të tëqëlluarat me armë zjarri ka mbetur i dëmtuar edhe një i moshuar, shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç (Xhevdet Skëndaj), i cili ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes. Mjekët dhe shërbimet e urgjencës e kanë transportuar me shpejtësi 73-vjeçarin në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas krimit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të dy autorëve të maskuar që u larguan me motocikletë. Me qëllim izolimin e zonës dhe kapjen e tyre, janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe postblloqe në akset kryesore nacionale, me fokus të veçantë në rrugët që dërgojnë drejt Vlorës dhe Gjirokastrës.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën intensive për administrimin e provave materiale, sekuestrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe sqarimin e plotë të rrethanave për identifikimin dhe prangosjen e autorëve.





