TIRANE – Shqipëria e minifutbollit shkruan historinë në Essen të Gjermanisë, duke e kaluar për herë të parë fazën e grupeve drejt fazës së eliminimit direkt. Kuqezinjtë e trajnerit Irtan Sejko, barazuan në ndeshjen e tretë me rezultatin 0-0 përballë Kolumbisë dhe kaq i mjaftoi Shqipërisë për të avancuar më tej në Botërorin e minifutbollit.
Në këtë fazë finaleve të Botërorit, kuqezinjtë kanë zhvilluar deri më tani 3 ndeshje, ku në të parën ajo me Portugalinë ishte ndër ndeshjet më emocionuese, ku pavarësisht pësimit të golit 4 minuta nga fundit, atmosfera në kompleksin sportive, ku po zhvillohej ndeshja ishte e mbushur me qindra tifozë kuqezi, të cilët mbi fushën e lojës ngritën një tjetër dron, këtë herë me flamurin shqiptar për të inkurajuar djemtë.
Në ndeshjen e dytë me Moldavinë, një ndër pretendentet kryesore të këtij Botërori, kuqezinjtë udhëhoqën për disa minuta takimin, falë golit të Xhuliano Reçit, por në fund takimi u barazua.
Me këtë pike të marrë dhe me atë të ndeshjes së fundit ndaj Kolumbisë 0-0, Shqipëria ka shansin të marrë pjesë në fazën e eliminimit direkt, ku ditën e enjte në orën 20:35, do të përballet me Ukrainën, e cila në fazën e grupeve ka arritur të marrë 3 fitore dhe 9 pikë të plota.
Ditën e nesërme në Gjermani është festë kombëtare dhe si rrjedhojë priten edhe më tepër tifozë shqiptarë që të jenë të pranishëm në arenën ku do të luhet ndeshja.
