Në këtë verë, kur merkatoja “gëlon”, portali “Transfermarkt” ka zbuluar shifrat e reja të lojtarëve në merkato dhe formacionin më të shtrenjtë të botës. Siç pritej, në këtë formacion janë vetëm lojtarë që luajnë në Europë. Në total kjo 11-she shkon të total 1.12 miliardë euro, një shifër e frikshme.
Në portë ka një garë kokë më kokë mes Mike Maignan të Milanit dhe portierit të Portos, Diogo Costa. Të dy kushtojnë nga 45 milionë euro, por gardiani i Portos është më i ri në moshë dhe kjo e bën që të caktohet në portën e 11-shes më të shtrenjtë.
Duhet thënë Costa është edhe për pak kohë te Porto, para se një prej gjigantëve të Europës ta vendosë mes shtyllave të veta. Ndërkohë, edhe Maignan mund të lëvizë në këtë verë pas interesit të disa klubeve të mëdha evropiane, me Milanin, që po reziston, të paktën për momentin.
Në krahun e majtë të mbrojtjes luan një atlet i garave të shpejtësisë. Alphonso Davies i Bayern Munchen kushton 70 milionë euro dhe jo më kot, pasi ka rezultuar që kanadezi të jetë një lojtar i niveleve botërore. Bayerni e bleu për 14 milionë euro kur ai ishte vetëm 18 vjeç në 2019-ën.
Në qendër të mbrojtjes nga e majta është një lojtar i zbuluar më së shumti në Botërorin e Katarit. Bëhet fjalë për yllin e Kroacisë dhe Leipzigut në Gjermani, Josko Gvardiol. Një prodhim ekskluziv i Dinamos së Zagrebit, 21-vjeçari rezulton të jetë një nga të rinjtë më premtues në mbrojtje. Ai është shumë pranë kalimit te Manchester City. “Transfermarkt” e vlerëson 75 milionë euro.
Në të djathtë të qendrës së mbrojtjes vendoset një “shkëmb”. Ruben Diaz, lideri i Manchester Cityt, që fitoi Championsin në këtë sezon dhe kurorëzoi një sezon perfekt. Portugezi është aktualisht mbrojtësi më në formë në botë. Vitin tjetër mund ta shohim në një duet me Gvardiol, që bën mbrojtjen e Guardiolës të frikshme. Ai kushton 80 milionë euro.
Në të djathtë të mbrojtjes, Achraf Hakimi ka arritur të mposhtë konkurrencë të fortë dhe të jetë në krye të më të shtrenjtëve. Ylli i PSG-së vlerësohen 65 milionë euro. Cilësitë i tregoi edhe me Kombëtaren e Marokut, ku shkëlqeu në Botëror, duke kapur gjysmëfinalet.
Federico Valverde i Real Madrid nuk mund të mungonte në mesfushë. Ai është si një eksploziv dhe i jep mesfushës së Ancelottit një dinamikë të frikshme. Jo më kot kushton 100 milionë euro.
Krah Valverdes është një madrilen i sapo emëruar. Jude Bellingham, i transferuar te Real Madridi për 113 milionë euro, e ka vlerën 120 milionë euro, duke qenë mesfushori më i shtrenjtë i globit. Është vetëm 20 vjeç, por nga pjekuria që tregon në fushë duket si një veteran.
Fantazinë e mesfushës më të shtrenjtë e merr në dorë Jamal Musiala i Bayernit. Ylli i Gjermanisë kushton 110 milionë euro. Përveç kreativitetit, me topin në këmbë ia del të driblojë edhe të gjithë mbrojtjen kundërshtare. Bayerni ia ka blerë Chelseas për 200 mijë euro në 2019-ën.
Në sulm rriten akoma më shumë edhe çmimet e lojtarëve. Në majën e sulmit, por edhe si më i shtrenjti, vendoset Kylian Mbappe. Me 180 milionë euro vlerë në merkato, Transfermarkt e përzgjedh në formacionin më të shtrenjtë. Megjithatë, kjo është vetëm një preferencë, pasi edhe Erling Haaland kushton 180 milionë euro dhe krejt bukur mund të ishte në këtë 11-she.
Në të majtë të sulmit është vendosur Vinicius Junior. Ylli i Real Madrit kushton 150 milionë euro. Në dy sezonet e fundit, veçanërisht me Ancelottin në krye, është shndërruar në një “vrasës” seria. Me shpejtësinë që ka, i lë targën shumicës së mbrojtësve.
I fundit është ylli i Arsenalit, Bukayo Saka. Ai vlerësohet 120 milionë euro dhe si sulmuesi i djathtë më i mirë i globit. Shkëlqen në Premier Legaue me Arsenalin, por e bën edhe me Anglinë. Londinezët kanë një xhevahir shumë të çmuar në gjirin e tyre.

