KOSOVË- Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në Kosovë, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar. Një pacient i hospitalizuar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK ka mbetur i vdekur nga zjarri në njërën nga dhomat e shërbimit emergjent të kësaj klinike.

Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim. Rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në dhomën e pacientit duke u djegur dysheku i shtratit, dhe si pasojë e flakëve pacienti ka ndërruar jetë. SHSKUK-ja ka dhënë detaje lidhur me rastin që ka ndodhur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, e ku një person vdiq pasi ia vuri flakën dhomës ku po merrte trajtim. Nga tymi e kanë pësuar edhe ekipi kujdestar, dy mjekë dhe dy infermiere, si dhe një paciente.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.