Ka shkuar në 632 numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun.

Sipas Reuters, numri i personave të plagosur deri më tani raportohet 329 të lënduar.

Tërmeti i fuqishëm e kishte epiqendrën në malet e Atlasit të Marokut pak para mesnatës së të premtes.

Tërmeti 6.8 ballë shkatërroi ndërtesat dhe duke i detyruar banorët e qyteteve të mëdha të largohen nga shtëpitë e tyre, njoftoi televizioni shtetëror.

Një zyrtar lokal tha më herët se shumica e vdekjeve ishin në zonat malore që ishin të vështira për t’u arritur.

Banorët e Marrakesh, qyteti i madh më i afërt me epiqendrën, thanë se disa ndërtesa ishin shembur në qytetin e vjetër, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ministria e Brendshme bëri thirrje për qetësi, duke thënë në deklaratën e saj televizive se tërmeti kishte goditur provincat Al Haouz, Ouarzazate, Marrakech, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant.

“Toka u drodh për rreth 20 sekonda. Dyert u hapën dhe u mbyllën ndërsa unë zbrita me nxitim poshtë nga kati i dytë”, tha Montasir Itri, një banor i fshatit malor Asni pranë epiqendrës, i cili shtoi se shumica e shtëpive atje ishin dëmtuar.

“Fqinjët e mi janë nën rrënoja dhe njerëzit po punojnë shumë për t’i shpëtuar ata duke përdorur mjetet në dispozicion në fshat,” tha ai.

Qendra gjeofizike e Marokut tha se tërmeti goditi në zonën Ighil të Atlasit të Lartë me magnitudë 7.2 ballë. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së vlerësoi magnitudën e tërmetit në 6.8 ballë dhe tha se ishte në një thellësi relativisht të cekët prej 18.5 km.

Ighil, një zonë malore me fshatra të vegjël bujqësor, është rreth 70 km në jugperëndim të Marrakesh. Tërmeti ra pak pas orës 23:00.

Tërmeti është më vdekjeprurësi i Marokut që nga ai i vitit 2004 pranë Al Hoceima në malet veriore Rif, ku u vranë mbi 600 njerëz.