MAROK- Shkon në 1037 numri i të vdekurve nga tërmeti katastrofik në Marok. The guardian raporton më shumë se 1200 persona të plagosur.

Tërmeti, me magnitudë 7 të shkallës Rihter goditi Marokun qendror, teksa njerëzit dolën në rrugë në Marrakesh dhe qytete të tjera. Tërmeti goditi pas orës 23:00 me kohën lokale, në një thellësi relativisht të cekët 71 km në jug-perëndim të Marrakeshit, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Tërmeti është më vdekjeprurësi i vendit që nga një lëkundje e vitit 2004 pranë al-Hoceima, në malet veriore Rif, ku humbën jetën më shumë se 600 njerëz.
Zyrtarët po punojnë për të pastruar rrugët në mënyrë që ambulancat dhe ndihmat të arrijnë tek të prekurit, por distancat e mëdha midis fshatrave malore krijojnë vështirësi. Mediat e huaja raportojnë se do të duhet kohë për të mësuar shkallën e plotë të dëmit të shkaktuar nga tërmeti.

Maroku nuk ka bërë ende apel për ndihmë nga jashtë për të ndihmuar me situatën në zhvillim, por një numër vendesh kanë ofruar mbështetje.

Ja çfarë kanë thënë disa prej tyre.

Algjeria

Algjeria, e cila ndërpreu lidhjet me Marokun dy vjet më parë, tha se do të hapte hapësirën e saj ajrore për fluturime humanitare dhe mjekësore në Marok.

Në një deklaratë, presidenca e Algjerisë tha se ishte e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare dhe të ofrojë të gjitha kapacitetet e saj materiale dhe njerëzore.

Turqia

Ministria e Jashtme turke tha se Ankaraja ishte e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes “për të shëruar plagët e tërmetit në Marok”.

Autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive AFAD i Turqisë tha se 265 punonjës të ndihmës ishin gati të udhëtonin në rajonin e tërmetit.

Gjermania

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se vendi ishte “në procesin e organizimit të mbështetjes”.

Gjermania ka mobilizuar gjithashtu agjencinë e saj të ndihmës teknike.

SHBA

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se vendi është “i gatshëm të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme pasi Maroku i përgjigjet kësaj tragjedie”.

Franca

Valerie Pecresse, presidente e rajonit të Parisit, tha se po ofronte 500,000 euro (429,743 £) ndihmë për Marokun. Benoit Payan, kryebashkiaku i Marsejës, tha se zjarrfikësit do të dërgohen për të ndihmuar ekuipazhet e shpëtimit në Marok.

Izraeli

Shërbimi kombëtar i urgjencës mjekësore dhe fatkeqësive të Izraelit Magen David Adom tha se kreu i tij kontaktoi presidentin e Gjysmëhënës së Kuqe Marokene me një ofertë për ndihmë.

“Përfaqësuesit nga Magen David Adom po përgatiten të largohen brenda orëve të ardhshme. Ata do të bashkohen me delegacionet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Forcat e Mbrojtjes të Izraelit,”-thihet në deklaratë.