SHKODËR- Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i rëndë në Shkodër ku 33-vjeçari Valter Fierza, u ekzekutua me armë zjarri.
Vrasja ndodhi në fshatin Hot i Ri të njësisë Rrethina rreth orës 22:00. Viktima u qëllua me automatik kallashnikov nga një person tashmë i identifikuar nga policia vendore e Shkodrës dhe i shpallur në kërkim.
‘Kërcet’ arma në Shkodër, ekzekutohet 33-vjeçari, policia kontrolle për autorët, Fjerza u gjet nga familjarët i vrarë
I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar. Pas debatit autori, që është edhe fqinj, me 33-vjeçarin ka marrë armë automatik kallashnikov dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Ishin familjarët e viktimës, ata të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër makinës së tij. Pas vrasjes autori i dyshuar është larguar në drejtim të paditur.
Në pika të ndryshme janë ngritur grupe kontrolli për të mos lejuar që autori të largohet.
Valter Fierza që mbeti i vrarë, nuk njihej si person problematik në atë lagje. Viktima dhe autori i dyshuar janë fqinj prej shumë vitesh dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Debati mes vëllait të viktimës dhe autorit ka qenë i çastit dhe sipas informacioneve të deri tanishme më përpara palët nuk kanë pasur ndonjë debat apo konflikt në të kaluarën





