Kristjan Asllani pati një paraqitje jo të kënaqshme të mërkurën e kaluar kundër Real Sociedadit, kur për shkak të tërheqjes së Hakan Çalhanoglusë, Simone Inzagi kishte zgjedhur të luante një kartë të padëgjuar më parë.
Megjithatë, ish-mesfushori i Empolit në njëfarë mënyre humbi një mundësi. Shqiptari nuk u aktivizua as dje kundër ish-skuadrës së tij, vendim ky i përforcuar nga rikthimi i turkut, që tashmë vështirë se do t’ia rikthejë vendin elbasanasit.
21-vjeçari është aktualisht i pesti në hierarkinë e mesfushës zikaltër, por ka jo pak presion nga ardhja e Kalsenit, i cili është shumë i entuziazmuar për aventurën e re dhe shpreson të fitojë pozicione në repart.
Elementë të tillë veprojnë si kambana alarmi për Asllanin, i cili gushtin e kaluar ishte një hap larg rikthimit në Toskanë në formë huazimi (e donin edhe Sasuolo dhe Fiorentina, të dyja zgjedhjet e dyta të lojtarit në krahasim me rikthimin tek Empoli). Ideja e transferimit më pas u shkatërrua për shkak të zgjedhjeve të drejtuesve para së gjithash dhe falë besimit të dhënë ndaj tij nga Inzagi.
Një besim, i cili, megjithatë, mund të ketë një datë skadimi: në rast se Kristjani, (i cili në çdo rast mund të ketë ende mundësi në dy ndeshjet e ardhshme kundër Sasuolos dhe Salernitanës), nuk do të mund të ketë një kthesë në rendiment, atëherë mund ta shikojë veten larg Interit.
Sipas asaj që raporton “Fcinternews”, nuk përjashtohet që Asllani të rikthehet tek Empoli në huazim qysh në janar, aty ku do të gjejë adhuruesin e tij Aurelio Andreacoli, që e bëri të debutonte me ekipin e parë të toskanëve.
