Të shtëna me armë janë regjistruar mesditën e sotme në Kurbin, teksa disa persona kanë hapur zjarr drejt një banese.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në Sanxhak, ku është qëlluar me armë drejt banesës së shtetasit Skënder Lika. Ende nuk dihet nëse ka persona të plagosur nga plumbat, teksa policia ndodhet në vendngjarje.
Kujtojmë se Lika ka qenë dhe më parë shënjestër e një atentati, pasi në mars të këtij viti iu vendos tritol në banesë.
Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në zonën e Kurbinit. Kjo pasi Skënder Lika, është babai i autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Rolit. Ndërkohë nipi i tij, Ilir Lika ekzekutoi me armë zjarri në një hotel në Mamurras dy biznesmenët, Paulin Gjergji dhe Bujar Lika.
Ekzekutimi i Rakip Rolit ndodhi më 10 dhjetor 2021, në dalje të Sanxhakut duke shkuar për në Mamurras. Dyshohet se autorët kanë qenë në këmbë dhe kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj tij në momentin që ai po kalonte me makinë pranë tyre.
Pasi u qëllua disa herë, makina humbi kontrollin duke u përplasur me dy automjete të tjera që ndodheshin rastësisht aty, ndërsa mësohet se ka marrë 7 plumba në trup.





