Që Shqipëria është vendi i çudirave, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi, pasi shpeshherë, kemi parë dhe dëgjuar skandale që as nuk imagjinohen në shtete të tjera europiane. Për më tepër, këto skandale cilësohen si gjëra normale tashmë në Shqipëri dhe kjo e bën edhe më shumë shtetin tonë një vend çudirash.
Mirëpo, së fundmi, do ju tregojmë edhe se si në vendin tonë nuk shkohet më përpara, por vetëm mbrapa.
Në Buletinin e Njoftimeve Publike, të publikuar ditën e djeshme, në seksionin e ankandeve publike, kemi evidentuar se Hekurudha Shqiptare ka nxjerrë në ankand shinat e trenit.
Në njoftim thuhet se vlera fillestare e blerjes së këtyre shinave hekurudhore dhe skrapit hekurudhor është rreth 80 milionë lekë të vjetra pa TVSH.
Në një kohë, kur trumpetohet dhe kërkohet që të vihet në punë transporti hekurudhor(jo në kushtet siç është), “Hekurudha Shqiptare” nxjerr në shitje shinat. Në vend që shinat të përdoren, të vihen në punë, për të përmirësuar dhe për të shtuar stacionet e transportit hekurudhor, shiten pa të keq.
Transporti hekurudhor në Shqipëri është në kushte skandaloze. Në vendet europiane, transporti hekurudhor është më i rëndësishmi dhe këtu mjafton të marrim shembull dy shtetet ku ka më së shumti shqiptarë, Greqi dhe Itali, ku transporti hekurudhor është më i përdoruri.





