Policia ka dhënë detaje nga incidenti i ndodhur ditën e sotme në afërsi të Kryesisë së Kuvendit, ku një 41-vjeçari alarmoi efektivët me sjelljen e tij të dyshimtë.

Mësohet se prej rreth 30 minutash ai ka lëvizur në mënyrë të dyshimtë në hyrje të godinës duke folur edhe në telefon, ndërkohë që thoshte me zë të lartë “Kam punë me doktorin”.

Ai ishte i veshur me të zeza, ndërsa mbante kapuç në kokë dhe një çantë të zezë, nga ku nxorri më pas edhe një çakmak pistoletë.

Në lidhje me ngjarjen reagoi më pas edhe policia duke thënë se bëhej fjalë për një person me probleme të shëndetit mendor.

Njoftimi i policisë:

Më datë 02.11.2023, rreth orës 12:45, është marrë njoftim se në afërsi të Kryesisë së Kuvendit, është konstatuar një shtetas, i cili përbënte shqetësim për qytetarët.

Shërbimet e Policisë kanë kaluar në vendngjarje dhe kanë marrë kontakt me shtetasin F. B., 41 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, të cilin e kanë këshilluar të largohet dhe më pas është larguar pa probleme.