Sulmohet nga dy qen Pitbull i moshuari në Durrës dhe përfundon rëndë në spital

Nuk është zbuluar ende, sipas Policisë së Durrësit, se të kujt janë qentë që sulmuan të moshuarin i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Durrësit.

Ndërkohë burime zyrtare nga ky spital bëjnë të ditur se i moshuari pasi është trajtuar fillimisht në Urgjencën spitalore është kaluar në repartin e Ortopedisë ku po merr trajtim të specializuar për shkak të dëmtimeve të shumta.

I moshuari u sulmua barbarisht nga dy qen të llojit pitbull, pasditen e sotme, ndërsa po ecte në rrugë, në zonën e Plazhit. Ai ka marrë plagë të shumta në kokë, duar e pjesë të tjera të trupit. Për momentin, i moshuari deklarohet të jetë jashtë rrezikut për jetën, por mjekët po e mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm.

Ndërkohë në lidhje me rastin policia deklaron se po vazhdon hetimet për të gjetur pronarin e tyre.

NJOFTIMI I POLICISË

Durrës/Informacion paraprak

Pasditen e sotme, në lagjen nr. 13, shtetasi H. B., 84 vjeç, është sulmuar në rrugë, nga 2 qen të llojit pitbull. Si pasojë, 84-vjeçari është dëmtuar dhe është dërguar në spital, ku po merr asistencë mjekësore.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për identifikimin dhe procedimin penal të shtetasit/sve përgjegjës për qentë.

Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.