Një grabitje në mes të ditës së djeshme (22 nëntor) ka ndodhur në fshatin Zhamë të Lushnjës ku në një banesë janë vjedhur rreth 13 milionë lekë të vjetra. Autorja është një femër që dyshohet se ka hedhur një substancë për të përgjumur pronaren e shtëpisë dhe më pas ka kryer vjedhjen.

Jalldize Ibraliu, 65 vjeçe është invalidë dhe tregon se autorja i ka hyrë në oborrin e shtëpisë duke iu prezantuar si qytetare nga Tetova që kërkonte ujë për të pirë. Më pas nga ai moment nuk mban më mend asgjë.

Në kohën kur ndodhi grabitja, ka qenë vetëm pronarja e shtëpisë e pranishme, ndërsa burri i saj ishte në punë. Nga ora 12 kur ndodhi ngjarja deri në orën 20 të mbrëmjes 65 vjeçarja ka qenë pa ndjenja brenda shtëpisë.

I zoti i shtëpisë Arif Ibraliu tregon se kur ka mbërritur në shtëpi ka parë se kutia ku ndodheshin paratë ishte bosh. Policia e Lushnjës ka nisur hetimet për grabitjen dhe ka sekuestruar pamjet e marra nga një shtëpi private ku duket teksa makina e autores së ngjarjes ndalon dhe më pas ajo personalisht i afrohet banesës ku ndodhej e moshuara.