ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar dy garazhe dhe një apartament që i përkisnin një 28-vjeçari, i cili ishte dënuar me 3 vjet burg në Britani për “shtëpi bari”.
Sipas provave të prokurorisë, pasuritë e L.C. janë krijuar si burim i aktivitetit të tij kriminal. Pronat e sekuestruara llogaritet të kapin vlerën prej 200 mijë eurosh.
Mësohet se në këtë vepritmari kriminale janë përfshirë edhe të afërm të tij, të cilët kanë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme me para që dyshohet se vijnë nga veprimtaria e paligjshme e 28 vjeçarit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka kërkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi pasuritë e shtetasit L.C., dhe personave të lidhur me të, të evidentuara gjatë hetimeve si pasuri të pajustifikuara dhe të dyshuara si të vendosura mbi burime kriminale.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në kuadër të procedimit penal nr.713, viti 2023 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit L.C, ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:
Pasuria me nr.26/198-G.5, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan;
Pasuria me nr.26/198-G.6, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan; dhe
Pasuria me nr.26/198+1-26, e llojit “apartament”, zk.8525, Elbasan
Nga hetimet ka rezultuar se:
Personi nën hetim ka kryer aktivitet kriminal, (shtëpi bari) në Mbreterinë e Bashkuar, për të cilën është arrestuar dhe dënuar nga autoritetet angleze.
Personi nën hetim dhe personat e afërt me të, gjatë dhe pas kohës së kryerjes së veprimtarisë, kanë investuar në fitimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat dyshohen se kanë si burim të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit L.C.
Pasuritë e konstatuara janë dukshëm të pajustikuara nga të ardhurat e ligjshme të personave të lidhur të personit nën hetim L.C
Gjykata e Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr.821 datë 22.11.2023 ka disponuar për pranimin e kërkesës së prokurorit dhe Vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme të sipërcituara.





