Rritja e ndjeshme e bitcoin gjatë kësaj jave është cilësuar nga ekzekutivët kryesorë në industrinë e kriptmonedhave si një marshim i ri drejt nivelit rekord të 100,000 dollarëve, gjatë vitit 2024.
Sjellim në vëmendje se gjatë këtij viti bitcoin ka shënuar rritje me më shumë se 120% teksa shumë analistë shprehen optimistë se kjo rritje do të vijojë edhe në vitin 2024.
“Duket sikur 2023 ishte viti i përgatitjes për vrapimin drejt 100,000 dollarëve. Ndjenja në treg është shumë shpresëdhënëse për 2024 dhe 2025”, tha për CNBC Pascal Gauthier, CEO i Ledger.
Nivelin me të lartë historik, prej 69,000 dollarësh, kjo kriptmonedhë e pati në nëntor të vititi 2021. Por sigurisht ky moment i ‘artë’ është shoqëruar më pas nga një sërë skandalesh si kolapsi i monedhave dhe projekteve deri te falimentimet dhe gjyqet kriminale.
Kujtojmë që FTX, dikur një nga platformat më të mëdha të shkëmbimit të kriptomonedhave në botë, u rrëzua, ndërsa themeluesi i saj, Sam Bankman-Fried përballet me mbi 100 vjet burg, pasi u shpall fajtor për shtatë akuza për mashtrim kriminal. Nga ana tjetër, shefi i Binance, Changpeng Zhao u deklarua fajtor për disa akuza penale dhe dha dorëheqjen si CEO i kompanisë, si pjesë e një marrëveshjeje prej 4.3 miliardë dollarësh me Departamentin e Drejtësisë së SHBA. Megjithatë, shumë aktorë të kësaj industrie i shohin dy ngjarjet e fundit si vendosje rregulli në tregun e kriptomonedhave.
“Mendoj se sapo të largohemi nga faza spekulative, e cila është drejt fundit, atëherë do të shohim njerëz që fokusohen në teknologjinë dhe problemet që mund të zgjidhin në botë, në vend që thjesht të kemi një kazino gjigante dixhitale për njerëzit që të tregtojnë”, deklaroi David Marcus, CEO i Lightspark, për CNBC.
